Ata vinin nga Tepelena e veronin në livadhe qe i merrnin me qira midis Mesopotamit dhe Livinës.
Një nga ata ishte edhe Selam Musai me kopenë e tij. Patën një fërkim të vogël për çështje kullote, se edhe Miço Papa nga Livina kishte bagëti.
“Mos e hiqni vetën shumë trima ju lebërit!”, i tha Miçoja.
Në fjalë e sipër, kush jam unë e kush je ti, vunë një bast dhe Miçoja që njihej si trim i çartë e fitoi. Kështu ndodhi. Trimi nderon trimin. Një ditë e thirri Miçon të pinin një cigare. U ulën dhe drodhën nga një duke ndërruar duhan. Folën për hallet, për varfërinë, për familjet e tyre. Biseda zgjati goxha.
Në fund foli Selami:
“Miço, je burrë i zgjuar dhe trim. Dua të të kem mik. Si thua?”
Dhimitri(Miçoja) e shikoi një herë me ato sytë e tij zhbirues dhe i zgjati dorën. I tokën duart dhe u bënë miq. Miqësia e tyre u forcua dhe ata u bënë vellamë. Pinë gjak nga njëri-tjetri sipas zakonit që e kishin edhe të Tepelenës dhe të Minoritetit. Kur filloi lufta në Vlorë, Selam Musai i çoi fjalë Dhimitri Papait:
“Ta kam nevojën vëllam, të luftojmë italianin që na zaptoi vatanin”.
Miçoja mblodhi shokët e tij dhe u tha:
“Vllami më thërret për ndihmë. Si thoni, do të vini më mua të shkojmë të luftojmë në krah të tij?”.
Dhe Dhimitri shkoi së bashku me shokët e tij dhe luftoi për t’i hedhur në det italianët. Por u kthye i pikëlluar, pasi humbi vllamin e tij.
Më tërheq në shënimet e mia edhe një fakt tjetër interesant, me që ra fjala për miqesinë, të cilën të parët tanë e kishin të shenjtë.
Më pyet një kolegu im në një bisedë që lidhej me fshatin tim:
“Si ka mundësi që në fshatin tuaj minoritar ka familje me mbiemrin Progonati?
Qesha.
“Jo”, i thashë, mbiemri i tyre është Naçi, por është e vërtetë se të vjetrit me këtë mbiemër i thërrasin akoma edhe sot. Kjo lidhet me një miqësi që kishte kjo familje me një familje në Progonat
“Gjyshi im”, thotë Kristo Naçi, “ishte një njeri i zgjuar, me kulturë dhe kishte miqësi kudo, jo vetëm Vurg por dhe në Delvinë e deri në Progonat. Kur vinte në Progonat, më mirrte edhe mua me vete. Kishte një kalë të madh të bardhë dhe mua më vinte në vithe të kalit. Kalonim nga Mali i Skërficës. Unë isha i vogël dhe lodhesha. Gjyshi më thoshte se ‘ja, tani do të arrijmë dhe ti do të kënaqesh’.
Bile më trgonte edhe histori nga ky fshat.
Dhe vërtet, atje vinin edhe burra të tjerë dhe e respektonin shumë gjyshin tim. Në fshatin tim asnjë s’e njihte si Panajot Naçi, por Panajot Progonati”.
Panajot Boli – /sarandacity.al/