Anastas Korini ka lindur në fshatin Pecë më 10 qershor 1930. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes në vitet 1937-1938.
Si shumë peciotë dhe Anastasi mori pjesë në rindërtimin e vendit të shkatruar nga lufta, konkretisht në ndërtimin e hekurudhës Durrës – Peqin, duke vazhduar njëkohësisht dhe kursin për mësues ku mori dhe dëshminë si mësues.
Fillimisht punoi si mësues i klasës së parë në Mursi në vitin 1947 dhe prej këtej në Ninat me klasa kolektive deri me 96 nxënës.
Krahas punës në shkollë drejtonte dhe kurset e analfabetizmit.
Në vitin 1947 – 1950 punoi si mësues në fshatin Kuç dhe Qafë të Skraparit.
Më vonë punoi si mësues në fshatin Dardhë të Beratit dhe më vonë në Kuçovë.
Pas mbarimit të shërbimit ushtarak, punoi me fëmijët vllehë pranë fshatit Livinë, në Miçopolit, kurse në verë kalonte në malet e Boboshticës, Korçë.
Në vitin shkollor 1956 – 1957 emërohet mësues në Bajkaj të Delvinës, po me nxënësit vllehë.
Në vitin shkollor 1957 – 1958, u kthye përgjithmonë në fshatin e tij Pecë, deri në vitin 1984- 1985 ku doli dhe në pension.
Në fshatin e tij, mësuesi gjeti një shtrat të ngrohtë arsimdashës, që ai e zhvilloi dhe e pasuroi më tepër. Nga gjiri i kësaj shkolle kanë dalë kuadro, personalitete dhe figura të shquara që shërbyen kudo nëpër atdhe. Nxënës i mësues Anastasit ka qënë edhe Kiço Mustaqi, i cili arriti të bëhej dhe ministër Mbrojtjeje i shtetit shqiptar.
Kontributi i tij i çmuar ka dhënë dhe në gjallërimin e jetës kulturore-artistike të fshatit. Rinia peciote nuk do t’i harojë kurrë ato orët e bukura mësimore, eskursionet, koncertet, ku shpalosej dëshira e madhe e tij për t’i mësuar dhe edukuar brezat, por nuk haron edhe ato momente të bukura kur organizoheshin mbrëmje dëfrimi, nën tingujt vetëm të një violine të tij.
Nën drejtimin e tij, grupi folklorik i fshatit do të shquhej nëpër festivale lokale dhe kombëtare, si për kostumet, vallet shumë të bukura, por edhe për këngët polifonike.
Mësues Anastas Korini ishte një njeri i sakrificës, i cili shkoi e punoj në zona të thella të Skraparit, Beratit apo Korçës, sidomos me nxënësit vllehë që i donte shumë.
Me punën e kontributin e tij ai do të veçohej në armatën e mësuesve delvinjotë si një nga më të shquarit.
Ndaj, në vitin 1985 është dekoruar me medaljen “Naim Frashëri” të Klasit të Dytë.
Sot Profesor Anastas Korini gjendet në shtetin grek, pranë famoljes, ne një gjendje të mirë shëndetësore dhe sidomos mendore, me një kujtesë fenomenale, me një mënyrë të foluri qe të bën për vete. Ndonëse në një moshë tepër të thyer, ai vazhdon akoma të punojë dhe të hedhë në letër kujtimet e tij për fshatin, aq të vyera për brezat e ardhshëm.
Sarandacity.al i uron Profesor Anastas Korinit të ketë shëndet, jetë sa më të gjatë dhe pleqëri të bardhë. /sarandacity.al/