Numri dy i qeverisë Arben Ahmetaj, njëherësh drejtues politik i Jugut, ofroi shifra optimizmi që sipas tij e rendisin Shqipërinë në vendin e parë në rajon për rritje ekonomike.
“Ndërtimi shënoi rritje me 41.6 %, që reflekton punën në infrastrukturë, ujësjellësa dhe rindërtimin pas tërmetit.
Janë 3200 kantiere të rindërtimit dhe ka një transformim të zonave të dëmtuara nga tërmeti.
Edhe industria nxjerrëse, uji, energjia shënuan rritje me 39 %, ndërsa hotelet dhe shërbimet që lidhen me turizmin shënuan rritje me rreth 31.8%”, deklaroi Ahmetaj në një rezyme nga Kryeministria.
Sipas tij, në tremujorin e dytë të vitit 2021 ekonomia në vendin tonë është rritur thuajse me 18% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit që lamë pas.
“Në tremujorin e dytë të vitit 2021 produkti i brendshëm bruto, ekonomia u rrit me 17.89% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020.
Një vit më parë, në tremujorin e dytë ekonomia pësoi një rënie drastike të krahasuar me atë të vitit 1997”, argumentoi ai. /sarandacity.al/