Policia e Sarandës arrestoi një 42-vjeçar në Ksamil, jo i panjohur për të, siç jepet e kuptuar, nga fakti se kishte dhe precedentë të mëparshëm penalë.
Sipas njoftimi, ai zotëron dhe një tjetër emër veç atij zyrtarit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, arrestuan në flagrancë shtetasin:
K. alias D. K., 42 vjeç, banues në ne Ksamil, Sarandë, i dënuar më parë për veprën penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’. Arrestimi i tij u bë pasi është kapur në flagrancë, nga shërbimet e Policisë, duke shpërndarë lëndë narkotike kokainë dhe kanabis në zonën e Ksamilit.
Gjatë kontrollit fizik dhe atij në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë narkotike të dyshuar kanabis, një sasi me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, një pjesë e saj e ndarë në doza gati për shitje, 1 aparat celular dhe 1 motomjet.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprën penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’. /sarandacity.al/