OMONIA në Himarë ka sulmuar ashpër kreun e Kadastrës Artan Lame, si dhe kryebashkiakun Gjergj(Jorgo) Goro, me pretendimin se banorëve të Gjilekut në Dhrimades nuk u janë kthyer pronar.
“Në datën 27 mars, nga zyrat e Kadastres Vlorë, drejtori i Kadastres Artan Lame bashke me Kryetarin e Bashkisë Himarë Jorgo Goro, vazhdoi të tallet me opinionin publik në lidhje me regjistrimin e pasurisë së banorëve të fshatit Gjilek (Drymades) nga zyra e Kadastrës”, nis deklarata me frymë nervoze.
“Z. Lame deklaroi se regjistrimi ka mbaruar per gjithë fshatin Gjilek, gjë që nuk është absolutisht e vërtetë. Siç shihet nga harta që ai prezantoi, parcelat të cilave do t’u jepen tituj pronësie përbëjnë më pak se 1/10 e pronës totale që ka fshati dhe shumica dërrmuese e tyre i janë shitur një kontraktori i cili para disa ditesh ka marrë një leje ndërtimi”, pretendohet në deklaratë.
Sipas OMONIA-s, “nëse këto deklarata do të kishin edhe disa copa të së vërtetës, nuk do të ndodhnin në zyrën se Kadastrës mëkatare të Vlorës, por do të bëheshin në fshat për t’u përballur drejtpërdrejt dhe për të marrë ‘mirënjohjen dhe falënderimet’ e qytetarëve të fshatit Gjilek”.
OMONIA pretendon se po u merren pronat banorëve grekë të Himarës.
“Dyshja (Goro – Lame) që mban pjesën më të madhe të përgjegjësisë për plaçkitjen e pronave të banorëve vendas grekë të bashkisë së Himarës, hapi sot siparin duke luajtur një shfaqje të sëemtuar dhe të pakuptimtë, paçka se njerëzit e Himarës do t’i dërgojnë me votën e tyre në dollapin e historisë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e OMONIA-s, dega Himarë. /sarandacity.al/