Kryeministri Rama tha se Basha “bëri të paimagjinueshmen” me blindimin e selisë së PD për t’i bërë ballë furisë së Berishës, në vend që sipas tij të kërkonte mbrojtje nga Policia, siç dhe i takonte.
“Faktikisht Basha bëri atë që nuk mund ta bëjë kurrë. Kush ka sensin e përgjegjësisë ndaj njerëzve dhe institucionit që përfaqëson, vete duke bërë fortifikime në vend që të fliste për nevojë që ai institucion të mbrohej nga Policia e Shtetit”, tha ai, duke shtuar se “reagimet për policinë janë të ngjashme si dy pika uji të dy kufomave politike”
“Policia e Shtetit ishte në sfidën e vet më të vështirë të këtyre 30 viteve, pasi kurrë nuk i është dashur të futet në oborrin e një partie për të ndarë dy palë që kacafyten dhe që mund të shkojnë deri në gjakderdhje. Nuk ishte e nevojshme të fortifikohej PD, mund të thirrej policia dhe ta mbronte godinën”, arsyetoi kreu i mazhorancës, duke shprehur dëshirën që kjo situatë në kampin opozitar të marr fund.
“Unë uroj që të jetë një proces që shkon drejt një zgjidhjeje paqësore. Uroj që dhuna që pamë dhe fortifikimet të mbeten mbrapa”.
Por kë njeh Rama tashmë si PD teksa kjo forcë është ndarë në dy pjesë? Ose më saktë me kë do komunikojë, pasi pritet të jenë dhe dy grupe parlamentare pas përjashtimit që PD-ja e Bashës i bëri Berishës & CO.
“Të dy këta nuk ka asnjë legjitimitet veç e veç. Deputetët e PD-së kanë legjitimë sepse janë aty me votën e popullit dhe për sa kohë ne do të shohim se ka shans për bashkëpunim, ne jemi aty për ta bërë atë”, tha Rama para gazetarëve. /sarandacity.al/