Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim bënë ndalimin e shtetasit turk Erkan Akin, 42 vjeç, banor i lagjes nr. 1, në Sarandë, pasi Gjykata e Apelit Gjirokastër, me vendimin e datës 20.03.2021, e ka dënuar atë me 8 muaj burg, për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Në detaje sqarojmë, se në 6 tetor të 2019, Policia Kufitare në bashkëpunim me Seksionin e Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Sarandë ka ushtruar kontroll në anijen turke “Rest” të ankoruar në Portin e qytetit dhe për rrjedhojë u arrestuan dy shtetas turq.
Sipas uniformave blu në pranga ranë Erkan Akin 40 vjeç, banor i Bodrumit Turqi, njëherësh edhe kapiteni i anijes “ Rest” si dhe 31-vjeçari Nexhati Itmec, po nga Bodrumi Turqi, marinar i anijes.
Arrestimi i tyre ndodhi pasi nga kontrolli në anijen “Rest” 31 – vjeçari Nexhati Itmec u gjet i fshehur në njerën nga dhomat e anijes dhe gjatë kontrollit iu gjet një kartë identiteti dhe një leje drejtimi bullgare me emrin Miro Plamenov Cristov, për të cilat u dyshua se ishin të falsifikuara dhe për rrjedhojë shtetasi turk Nexhati Itmec u akuzua për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” ndërsa Erkan Akin për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”. Të dy në masën e sigurisë u lanë në ndjekje të lirë, ndërsa nuk do të largoheshin nga Saranda. /sarandacity.al/