Sot është 5 Maji, Dita e Dëshmorëve, një festë me konotacion komunist, vijuar dhe në demokraci, pa u cenuar aspak politikisht, apo vënë në diskutim, ngjashëm siç ka ndodhur dhe me 29 Nëntorit, datë që nuk njihet nga PD si e Çlirimit.
Në 5 Maj, kurora me lule te Nëna Shqipëri ka vënë edhe PD. Kjo nga fakti se dhe njeriu që është arsye e kësaj dite, Qemal Stafa, nuk është trajtuar si një personazh lufte apo politik me dritëhije, në këndpamjet e reja të historiografisë post-komuniste.
Diskutimet e sferës historike kanë qenë vetëm për prapaskenën e vrasjes së tij, ku përflitet për një tradhëti brenda radhëve të PKSH-së, më saktë eliminuar nga Enveri, sipas një teorie konspirative.
Edhe te filmi “Vendimi”, i cili ka në qendër vrasjen e Qemalit, në subjekt është tradhëtia e brendshme ajo që i merr jetën të riut komunist, një nga figurat më me peshë të Partisë Komuniste.
Ekziston dhe një kuriozitet artistik: rolin e Qemalit në dy filma e luan i njëjti aktor, Kastriot Çaushi, që, edhe pse me flokë të drejtë është shndërruar në kaçurel për shkak të llojit të flokut të personazhit.
Te “Qortimet e Vjeshtës” përshkuhet Qemali në dimensionin artistik, si njeri me prirje letrare, gjithmonë në funksion të idealit politik, komunizmit, ndërsa te “Vendimi” është Qemali krejtësisht politik.
Nëse i referohemi asaj që Qemali ra dëshmor nga një akt tradhëtie e jo për shkak të një përballjeje klasike me armikun, pra siç serviret dhe te “Vendimi”, kjo është dhe një ditë turpi për PKSH-në e dikurshme. /sarandacity.al/