Policia greke godet një rrjet të shpërndarjes së drogës në Mykono.
Mësohet se është goditur një grup kriminal që drejtohej nga shqiptari me precedentë të rëndë kriminale, Gjergji Kapaj, 43-vjeç.
Policia greke ka përdorur forcat speciale dhe dron në operacionin që u zhvillua njëkohësisht në Mykono dhe Athinë.
Hetimi për grupin ka nisur në tetor 2020 pas informacioneve të mbërritura në organet greke ligjzbatuese.
Në fund të muajit prill 2021, ky grup solli nga Hollanda 3 kg kokainë të blerë për 28.000 euro/kg.
Policia greke bëri 8 kontrolle banesash, 4 në Mykono dhe 4 në Athinë dhe arrestoi 4 persona.
Atyre iu sekuestruan mbi 300 gram kokainë, 50 gram marijuanë, sasi methamfetamine, armë, dokumenta të falsifikuara dhe mjete.
Burimet bëjnë me dije se droga do shitej gjatë sezonit turistik.
Kreu i grupit është Gjergji Kapaj, një personazh i njohur në Greqi, i arratisur nga spitali i burgut Trikalla në 2012.
I ka shpëtuar një atentati në 2017 ku u vra shoku i tij Roland Shembitrasi në Glifadha. Nga burgu është liruar në 2015 edhe pse kishte dënime në total prej 47 vjet e 6 muaj burg për vepra të rënda penale. /sarandacity.al/