Kryeministri Rama zgjodhi të mbajë mandatin e fituar në Durrës e jo atë në Vlorë, në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Pas dy mandatesh si deputet i Vlorës, kreu i qeverisë ka zgjedhur të jetë përfaqësuesi i Durrësit në shtator, në parlamentin e ri.
Mandatin e Ramës në Vlorë e merr Teuta Ramaj, e cila renditej e 9-ta në listën e Partisë Socialiste në këtë qark.
“Zoti Komisioner,
Në bazë të tabelave përmbledhëse të rezultateve të votimit për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zonat zgjedhore qarku Durrës dhe qarku Vlorë, në zgjedhjet për Kuvendin e datës 25 prill 2021, rezulton se unë, Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, kam fituar mandatin e deputetit në këto dy qarqe.
Në zbatim të pikës 3, të nenit 67, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me vullnetin tim të lirë zgjedh të mbaj mandatin e deputetit në qarkun e Durrësit”, është letra e kryeministrit Edi Rama.
Kreu mazhorancës ka reaguar pas marrjes së vendimit duke theksuar se Vlora është në zemrën e tij dhe nuk do të ndahet kurrë, por zgjodhi Durrësin pasi është vendi ku Mandati i Tretë duhet të sjellë një hop të ri, jo vetëm për qytetin bregdetar po për gjithë Shqipërinë 2030.
“Vlora ishte, është dhe do jetë deri në fund në zemrën time, kështu që me mandat pa mandat, unë nga Vlora nuk ndahem as sot as mot, ndërkohë në mendjen time Durrësi është vendi ku Mandati i Tretë duhet të sjellë një hop të ri, jo vetëm për atë qytet po për krejt Shqipërinë 2030”, shkruan Rama në Twitter.
Kujtojmë se në Vlorë, Rama është në konflikt me kryebashkiakun Leli, ndërsa në Durrës po investohet në ardhjen e emiratasve për të ndërtuar aty një mini-Dubai. /sarandacity.al/