Kryeministri Edi Rama bëri me dijë se dronët inteligjentë që pritet të vijnë nga Turqia, do përdoren dhe në funksion të zhvillimit bujqësor.
“Me dronët superinteligjentë do mundet të kemi informacion të plotë çdo 24 orë për të gjithë sipërfaqet e punuara në Shqipëri. Këto sisteme do ju ndihmojnë shumë ju dhe ne, do ndihmojnë ndërveprimet tona.
Sot këto fjalë nuk janë në ajër sepse në Republikën e Shqipërisë, nga Tropoja deri në Konispol, ka fermerë dhe sipërmarrje bujqësore që e tërheqin qeverinë nga mbrapa. Ata kanë hapur rrugën dhe me forcën e shembullit dhe na thonë ne: ‘Ja ku jemi, bëjmë edhe pa ju, por nëse na mbështesni shkojmë edhe më larg’”, tha Rama ndër të tjera në një aktivitet në Universitetit Bujqësor të Kamzës.
Ai iu drejtua studentëve duke iu thënë se ata do fitonin më shumë në Shqipëri si fermerë se sa jashtë, nëse dinin të shfrytëzonin mirë aftësitë e tyre.
“Ju them studentëve që ky është vendi për të marrë dijet e nevojshme dhe për të fituar me dije dhe punë shumë më tepër sesa një rrogë, duke u bërë një vlerë e shtuar për një sektor që do t’i ketë gjithmonë e më të mëdha nevojat për burime njerëzore.
Një njeri i ditur sot në bujqësi mund të fitojë shumëfishin e asaj që mund të fitonte jashtë dhe të bënte një punë të zakonshme çfarëdo qoftë. Kjo kërkon që të kesh kontakte me më shumë se një vend pune, ama kjo është e bëshme”, tha Rama.
Më tej ai shtoi tha se synon që ta rrisë mbështetjen për fermerët nga 10 milionë euro që u prezantua sot, në 50 milionë euro deri në 2025.
“Skema nuk do të ndërpritet, por do të shtohet në mbështeje financiare. Objektivi është që nëse sot kemi vënë në shërbim të fermerëve për naftën 10 mln, në 2025 të kemi shkuar në 50 mln. Ne nuk jemi në fushatë se zgjedhjet kanë mbaruar. Sot ju flas në emër të një force që ka marrë mandatin që të vazhdojë dhe në 2025 ne prapë do japim llogari. Të rrisim në mënyrë që të zgjerojmë numrin dhe të stimulojmë fermerët që të bëjnë ato pak gjëra për t’u formalizuar dhe për të hyrë në një sistem ku nuk mund të zhvillohesh me trastë, informalisht, pa NIPT, pa gjë.
Ne duam ta trefishojmë sipërfaqen e serave dhe ta diversifikojmë prodhimin. Kjo është e mundur se e kemi parë si ka funksionuar dhe çfarë ka sjellë përpjekja për rritjen e sipërfaqeve të serave.
Duam të dyfishojmë financimin për të zgjeruar gamën e mbështetjes dhe nga skemat kombëtare, jo vetëm nga BE. Nga janari 2022, Shqipëria rurale do ketë në dispozicion 146 mln euro falë AZHBR-së”, theksoi i pari i qeverisë. /sarandacity.al/