Një 50-vjeçare, e quajtur Bukuroshe Muharremi, banuese në Lagjen 1 në Sarandë, është e arrestuara nën akuzën për rrëmbimin e fëmijës 12-vjeçar Ronaldo Tanushi nga Bathorja, i cili ishte zhdukur para dy ditësh.
“Nga specialistë për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë në Sarandë u bë arrestimi në flagrancë i shtetases B. M, 50 vjec, banuese në lagjen nr. 1 Sarandë, pasi në orën 14.30 të datës 06.07.2021 në lagjen nr. 1 Sarandë, u kap duke trafikuar shtetasin e mitur, R. G. T. 12 vjec, nxënës i klasës së gjashtë, banor në lagjen Nr 6, Bathore, Tiranë. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit
Gjyqësor Sarandë për hetime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin zyrtar.
I mituri ishte zhdukur para dy ditësh nga shtëpia dhe nuk kishte pasur më kontakte me familjarët, ndërsa babai kishte ngritur alarmin duke kërkuar ndihmën e qytetarëve që të bëhej e mundur gjetja e tij.
Kjo bëri që 12-vjeçari të gjendej në Sarandë.
Në orët pasuese, Sarandacity do publikojë një intervistë më të atin e 12-vjeçarit, i cili morri të birin nga Komisariati Sarandë orët e mbrëmjes të së martës. /sarandacity.al/