Nëse do kish qenë pak cipëplasur, Fatos Tushe, kreu i Bashkisë së Lushnjes, arrestuar një ditë më parë nga SPAK për një aferë tenderuese të një kanali kullues, nuk do ishte kthyer më në Bashki që kur ish-shoferi i tij i hodhi një granatë në zyrë, duke e plagosur.
Akti qe i rëndë, jo thjesht në terma humanë por dhe politikë. Për këtë të fundit, ai duhet ta ndërpriste karrierën. Vijimi i saj me plagë, e theksojmë pra, kur të ka plagosur ish-shoferi, do të thotë që gjendrat morale te ty nuk kanë më asnjë ndjeshmëri. Ky është problemi i madh i atyre që drejtojnë qytetet në Shqipëri, shumica dominuese – ju mungon ajo fibra morale, ngase u mungon statura e të qënit personalitet publik, të provuar për moralin dhe rrezatimin e tyre qytetar, plus aftësive të veçanta që duhet të kenë në menaxhim. Të tillë që, me kalimin e moshës mbahen dhe mbi shkop, në kuptimin fisnik të fjalës. Më së shumti, ato zgjidhen për parapalëqime të rëndomta me theks politik. Dhe ja rezultati: të plagos shoferi!
Më pas vijnë të tjerat: përfundon në burg për tendera dhe….sipas disa të dhënave të pasurisë së poseduar, rezulton që dhënka dhe para me fajde.
Kështu raportohet lidhur me të ardhurat e Tushes ndër vite, dalë prej gojës së tij në detyrimin ligjor për të treguar pasurinë.
“Thotë se i ka dhënë hua një personi 70 mijë euro me interes në vitin 2009. Në vitin 2010, deklaron rreth 11 mijë euro interesa nga dhënia e kësaj huaje.
Në vitin 2011, deklaron rreth 13 mijë euro interesa nga huaja, ndërsa në vitin 2012 rreth 3 mijë euro.
Pra, në tre vite nga dhënia e huas me interes e 70 mijë eruarve, ka fituar 27 mijë euro”, është ky detaji pra i raportuar për kryebashkiakun e Lushnjes.
Nuk nuk është thjesht teorike për ne si shoqëri shqiptare ajo wë fajdeja është ndër gjërat më të poshtra që mund të bëjë njeriu kur e ofron paranë me këtë mënyrë. Ja pra që ky element Sudeje paska qenë prezent në mendësinë e një njeriu që i është besuar menaxhimi i një qyteti.
Më shumë se trishtuese!
Dhe do mjaftonte vetëm kjo që ai të qe larg, shumë larg të qënit kryebashkiak. Pasi nëse s’e ke patur problem të ofrosh para me fajde, hiç problem s’e ke për çdo paudhësi tjetër.
Ja pra nga ku buronka mungesa e cipëlasjes kur pas ish-shoferi yt të ka plagosur me granatë, t’i kthehesh sërish në zyrë si të ishe duke luajtur një lojë luftash! /sarandacity.al/