Bashkia Sarandë ka nxjerr një urdhëresë të re lidhur me atë që e quan disiplinim trafiku, së paku duke vënë nën kontroll automjetet e furnizimit ushqimor – furgonë, kamionë apo kamionçina – duke jua përcaktuar oraret se kur duhet të lëvizin nëpër qytet për funksionin që kanë.
“Për mospengimin e rrjedhshmërisë së trafikut dhe rritjen e sigurisë së qarkullimit në territorin e Bashkisë Sarandë, me urdhër të Kryetarit të Bashkisë, në rishikim të urdhrit nr.82 datë 21.06.2021 ‘Për disiplinimin e orareve të punës dhe mënyrës së funksionimit të njësive të shërbimit, tregtisë dhe veprimtarive të tjera, në mjediset publike dhe private për periudhën 01.07.2021-30.09.2021’, bëhen ndryshimet dhe shtesat si më poshtë:
Oraret e furnizimit të magazinave dhe dyqaneve me automjete do të jenë:
–Për automjetet me peshë të përgjithshme deri në 3.5 ton, qarkullimi do të lejohet nga ora 12:00-16:00 dhe nga ora 24:00-07:00.
–Për automjetet me peshë të përgjithshme mbi 3.5 ton, qarkullimi do të lejohet në orarin 24:00-07:00.
Ky urdhër hyn në fuqi prej datës 28.07.2021”, thuhet në njoftimin e Bashkisë. /sarandacity.al/