Një nga emblemat e arsimit në Sarandë është dhe Tahir Zeneli, ose siç i thoshnin ndryshe “Profesor Tahiri”.
Ai ishte me një personalitet të padiskutueshëm, një mësimdhënës dhe drejtues shumë i mirë në seksionin e arsimit dhe në shkollat e mesme si mësues i historisë.
Ka lindur në Kuç të rrethit të Vlorës më 16 nëntor 1935. Pas mbarimit të shkollës fillore, studimet i vazhdoi në shkollën e mesme pedagogjike në Gjirokastër( 1950 – 1954). Më pas punoi si mësues në dhe më vonë drejtor i shkollës në Vranisht të Vlorës, para se të fillonte studimet e larta në UT.
Në vitin 1961 mbaroi UT Fakultetin e Histori – Filologji dega Histori. Filloi punën në Sarandë në organet drejtuese të arsimit pranë Komitetit Ekzekutiv të Rrethit( 1951 – 1960). Ka qënë drejtor i gjimnazit të Delvinës në vitet 1966 dhe ne vitet 1978 – 1981, i gjimnazit të Sarandës 1969 – 1975 dhe 1981 – 1990.
Vitet e fundit të karrierës si mësues i vazhdoi në shkollën e mesme “Hasan Tahsini”, në Sarandë, deri sa doli në pension.
Gjatë gjithë kohës kudo ku ka punuar, ka manifestuar ndërgjegje e përkushtim të lartë në kryerjen e misionit për mësimin dhe edukimin e brezit të ri.
Arritjet e arsimit në rrethin e Sarandës, duke e renditur atë në vendet e para të rretheve që dalloheshin për rezultate të larta në arsim, kanë dhe gjurmën, meritën dhe punën plot pasion të një profesionisti të vërtetë në fushën e arsimit dhe të drejtimit.
Me cilësitë e karakterit burrëror, kurajon e humanitetin si kuadër, ka bërë që të gëzojë simpatinë e nxënësve, kolegëve dhe qytetarëve të Sarandës.
Atë njeri e shikoje gjithmonë të qeshur, buzagaz, të qetë dhe të mençur. Në orën e mësimit ishte absolut në aftësi pedagogjike dhe kjo bënte që nxënësit ta donin dhe të ushqenin respekt për të.
Për kontributet e tij në fushën e arsimit, edukimit dhe drejtimit Tahir Zeneli është dekoruar nga Kuvendi Popullor me urdhërin “Naim Frashëri” i klasit të III dhe të II-të.
Pas viteve ‘90 profesor Tahir Zeneli është shpërngulur familjarisht larg Sarandës në SHBA, por kjo largësi nuk e ka penguar atë që dashurinë për vendin e Sarandën të mos i manifestojë, duke ardhur vit për vit për t’u ç’mallur me vendin, miqtë, shokët, ish-kolegë apo dhe ish-nxënësit e tij që i donte dhe e donin kaq shumë.
Sarandacity.al, i uron profesor Tahir Zenelit jetë sa më të gjatë, pleqëri të bardhë dhe të vazhdojë të shijojë sukseset e Partizanit si tifozi i “çmendur” i tij. /sarandacity.al/