Shumë është folur e debatuar në kohë mbi Sarandën, trendin e saj të diskutueshëm zhvillimor, debatohet e flitet dhe sot, por një zbërthim si ky i mëposhtmi me terma krahasimorë me Korfuzin, nga një ndër zërat më të njohur mediatikë me theks kritik, Alfred Lela, zorr të jetë hasur deri më sot.
Për këtë arsye, çdo vendimmarrës me peshë në Sarandë, i cili e do qytetin, të ardhmen e tij, dhe për sa ka në dorë do të lërë një gjurmë, një shenjë, do të ndërtojë një histori, duhet ta ketë si referim atë çfarë thotë kolegu Lela.
Pasi ndau ditët e pushimit mes Sarandës dhe Korfuzit, ai ndau me ne dhe impresionet e tij, me vlerësime e kritika, si pushues por më së shumti si shqiptar sqimtar në përvuajtje të kuptueshme.
Bisedoi: Ermir Hoxha
Lela, kaluat ca ditë në Sarandë e më pas në Korfuz. Ç’të ngjashme nëse kishte e ç’diferenca që patjetër kishte?
Po të flisja si nacionalist do ta anoja peshoren nga Saranda, si pushues, më duhet të anoj nga Korfuzi. Saranda, nëse hedh në peshore histori dhe gjeografi ka, sigurisht, më shumë. Sikur asgjë tjetër Butrintin, një stoli e rrallë. Por duhet të vesh në peshore edhe “betonieren permanente”. Dhe kjo duket qartë kur u ofrohesh brigjeve përkatëse të Korfuzit dhe Sarandës. Korfuzi është rustik, pra një bashkim i natyrës dhe historisë së konservuar, kurse Saranda është “las vegasiane”, një ndërthurje e arkitektonikës dhe dendësisë. Por të mos harrojmë: nuk ka asnjë “Las Vegas të brigjeve” por vetëm të shkretëtirës. Rënia në këtë paradoks tregon mungesë të vizionit, imagjinatës dhe dashurisë, si nga qeveritë lokale ashtu dhe qendrore.
Vini shpesh në Sarandë dhe a e keni ndër të preferueshmet?
Vij çdo vit në Sarandë, por ajo është më e bukur vjeshtave, për shembull. Ndoshta ngaqë zulma e njerëzve ka rënë. Por shihni se si çdokush sheh “interesin” e vet. Unë dua vjeshtën se më pëlqen piktoreskja, ndërsa vendasit i gjejnë kuptim vetëm verës sepse aty Saranda “bën paratë e vitit”. Dhe kjo është e kuptueshme. Saranda, sigurisht, është te të preferuarat e mia dhe te vendet që duhet të vizitohen në Shqipëri.
Si njeri mediatik dhe kritik si tipologji gazetareske, patjetër që e shihni me “shumë palë” sy Sarandën dhe turizminm e atyshëm. Për çfarë do thoshit bravo, për çfarë do ulërinit nga marrazi?
Dua t’i kthehem sërish krahasimit me Korfuzin sepse i shoh si të afërta në lloj, por me drejtime të ndyshme menaxheriale apo kulturore, po themi. Ne në Shqipëri nuk na kërcet për traditën. E urrejmë atë dhe harrojmë se vetëm tradita jonë ka vlerë dhe kuptim për turizmin tonë dhe për vendin tonë në botë. Ja një shembull: sheh në Sarandë dhe në Vlorë qebaptore apo hajtore apo çajtore me emrin Kosova apo Gostivari, apo emra të ngjashëm që i apelojnë një patriotizmi dy lekësh. Pra, meqë duan të tërheqin klientelë kosovare fusin edhe menynë dhe “emrat” apo nënkuptimet e kosovarishtes. Çfarë kuptimi ka kjo kur kosovari (kam në mend shqiptarin e Kosovës me këtë term) vjen në Rivierën shqiptare për aromat, kuptimet, nënkuptimet, gjellët dhe thekset e kësaj ane të Shqipërisë. A mendoni se kënaqet ai/ajo kur zbret nga makina në Sarandë dhe i ngjan se ka zbarkuar në Pejën me det?! Nuk ma do mendja.
Po të shohësh Korfuzin, atje nuk ka asnjë përpjekje për t’i apeluar të huajit (d.m.th. turistit) me të huajën por vetëm me vendasen, tradicionalen. Edhe emrat e tavernave e plotësojnë këtë “kulturë” duke qenë se se janë terminologji vendi apo vendasish dhe që u përkasin kryesisht familjeve korfiote, që prej gjeneratash janë në atë biznes. Në Sarandë rrallë e gjen këtë. Më lart, përgjatë Bregut, edhe më rrallë. Jugu ynë është mbushur me “tironsa” që sjellin në Rivierë “pordhën e madhe të Bllokut”. Çfarë katundarie kulturore duhet të jetosh që, edhe kur shkon me pushime, nuk zhvendosesh nga habitati i jopushimeve dhe e pi birrën si në Tiranë, i rrethuar nga të njëjtat personazhe që kanë storje por jo histori jete!
Korfuzit i vjen era Kërkyrë, pra një kombimin fantastik i shtresave kohore që nga helenikja, venecianja dhe grekja. Pushimet për këtë bëhen, për të mbledhur aroma dhe shije të tilla.
Bravo! do të thosha për përpjekjet për ta sistemuar qytetin, të paktën në atë që mund të quhet lungomare. E cila është gjysmake, sepse 2/3 e anëdetit janë të pushtuara pa kthim. Edhe pastërtia e meriton një “Bravo!” në Sarandë. Ne nuk mund të themelojmë turizëm të qëndrueshëm pa patur një Shqipëri të pastër.
Të tjerat, negativet, besoj i kam përmendur më lart, por temporitmi i betonizimit është në krye të marrëzive. Ne shqiptarët jemi kopjacë të mëdhenj, dhe nuk e kuptoj se si kësaj here nuk janë kopjuar simotrat bregdetare të Sarandës në Greqi apo Itali. Saranda është një “qytet –butik” dhe duhej të mbetej i tillë. Mbivendosja betonizuese mund të ketë futur më shumë duar në thesin e fitimeve, por me siguri ka ulur fitimet në total.
Nëse do vinte ai moment që do ishit ju ai që do zgjidheshit për t’i dhënë dum asaj çfarë nuk shkon përgjithësisht me turizmin, por në veçanti dhe me Sarandën, çfarë do vendosnit?
Partnerja ime, me të cilën pushova në Korfuz, po e kritikonte Sarandën, ndoshta pak më shumë se duhet për veshin dhe shijen time që e kritikon të keqen, por beson te e mira, dhe ja çfarë i thashë në “mbrojtje” të Sarandës:
“Shumë gjëra kanë ikur për këtë qytet, por ka ende për të shpëtuar. Imagjinoje sikur kupola apo zgjatimi kodrinor në Sarandë të mbillej dhe të kthehej në një brez të gjelbër të fortë. Imagjino sikur ndërtesat të lyheshin në ngjyrat tipike të të qyteteve të gjireve mesdhetare. Imagjinoni sikur shtesat, karakatinat, të hiqeshin dhe qytetit t’i bëhej një “meremetim i përgjithshëm”. Nuk ka kosto në këtë imagjinatë, por pak kujdes dhe estetikë, po. Kështu do të përmbyllej një trekolor i bukur me të gjelbrën në majë, koloritet e qytetit në mes dhe të kaltrën e detit poshtë. Është shumë vonë për shembje dhe ndërhyrje drastike, por meremetime dhe zbukurime mund të bëhen. Sigurisht, kjo është vetëm në anën e jashtme dhe bëhet për ta “magjepsur” vizitorin që vjen nga Korfuzi apo atë që e sheh nga interneti apo kartolinat e qytetit. Së brendshmi, d.m.th. infrastruktura e menaxhimit ka edhe më shumë për të ndryshuar, por jemi me pushime dhe të mos lodhim shumë koka.
Patjetër që dhe ju jeni ballafaquar me atë kakofoninë muzikore të Sarandës në mbrëmje, që Rama zgjedh t’i thotë dhe zhurmë, referuar asaj çfarë ndodh me lokalet e Vlorës, që sigurisht pra ndodh dhe në Sarandë. Keni ndonjë gjykim mbi të?
E tmerrshme. Më lejoni të flas sërish për Korfuzin, edhe për lehtësi krahasimi meqë i kam të freskëta përvojat e dy qyteteve, por edhe se i ndan kaq pak ujë. I kam bredhur një pjesë të mirë të plazheve të Paleokastricës në Korfuz dhe askund, askush nuk dëgjonte muzikë me zë të lartë. Askund nuk kishte garë se kush e ngre zërin më lart. Po flas këtu përgjatë ditës, ndërkohë që je në plazh dhe po lexon diçka, po pi diçka, po kotesh gjumë apo çohesh për t’u kredhur në det. Në rastet kur kishte muzikë, ajo ishte në minimum dhe gjithmonë muzikë amerikane, gjë e cila bëhej në përpjekje për t’i shërbyer të gjitha audiencave që, sot, kuptohet, si në Korfuz, ashtu dhe në Sarandë janë kozmopolite.
Nuk e gjen atë “zhurmën” që thotë z. Rama në Korfuz dhe besoj as në plazhe të tjera të Greqisë apo të Italisë. Këtu KM ka të drejtë, edhe pse është administrata e tij që për disa e lejon muzikën, për disa e shtyn orarin, e për të tjerë jo. Unë mendoj se nuk hyn qeveria këtu. Duhet të jetë një dakordësi mes bizneseve në Sarandë, një manual apo kod i përbashkët për muzikën e shumë elementë të tjerë të stinës së turizmit. Vetëm individë me vullnet të mirë që shohin si të mirën private ashtu dhe të përbashkëtën e zgjidhin këtë. Qeveritë, krysisht prishin punë kur fusin hundët. Hundët e kësaj tonës edhe kushtojnë.
Jeni përpjekur ndonjëherë të futeni nën lëkurën e të huajve që vijnë te ne për plazh, edhe në Sarandë posaçërisht, për t’i kuptuar se ç’i tërheq?
Do të ishte interesante nxjerrja e databazës së turistëve të huaj që hyjnë në Sarandë, për të parë “shkelësit e përsëritur”. Pra, a ka “besnikë” Saranda, apo ka “turizëm nomad”, d.m.th. njerëz apo grupe që përfundojnë këtu rastësisht, për të shuar një kureshtje dhe pastaj nuk vijnë më. Unë jam “i dënuar” me Sarandën se është qytet i vendit tim, por jam “besnik” i Korfuzit. Është e katërta herë që shkoj atje dhe do dëshiroja të shkoja sa më shpesh.
Pra, çfarë duhet bërë që Saranda të mos jetë një pitstop në agjendën e turistit të huaj por një destinacion? Mendoj se nuk jemi ende aty dhe nëse vazhdojmë pa plan nuk do jemi kurrë.
E kuptoj fare mirë turistin e huaj që vjen në Sarandë, sepse gjen aty Butrintin, Sy të kaltër, disa gjire të mrekullueshme detare, Ksamilin dhe miksologjinë e qytetit ku përzihet shqiptarja me spikamën greke dhe turke në të, dhe mbi të gjithë këtë dëshira e një amerikanizimi të paprajtshëm e të pafrytshëm. Saranda, si shumë destinacione shqiptare është një gjë “e çmendur”, ka më shumë energji se dritë, dhe kjo ka magjepsjen e saj.
Kur do e keni ardhjen e radhës në Sarandë?
Për Sarandën nuk humbet asnjë rast.
Kam edhe një lutje në fund: shpresoj që lexuesit e kësaj interviste mos të hidhen në atë gomonen nacionaliste që nuk i shpie në asnjë breg, dhe të marrin kritikat e mia si snobizëm, apo aq më pak si “shitje” te greku. Unë nuk i mbyll dot sytë para gjërave që nuk shkojnë me vendin tim, dhe as nuk e bëj këtë para gjërave që shkojnë mirë me fqinjin tim. Nuk shoh armiq te grekët por shoh shqiptarë që dinë shumë mirë të jenë armiq të vetes, shqiptarëve dhe Shqipërisë. Nganjëherë, bash duke u zhytur thellë në moskuptimin se po e mbrojnë Shqipërinë. /sarandacity.al/