Në një intervistë për Sarandacity.al, Sekretarja ikonike e PD Sarandë, znj. Matilda Qurku, ka sqaruar dhe njëherë atë çfarë ka ndodhur me të.
Disa kolegë partiakë i kanë faturuar një dorëheqje, të cilën ajo e refuzon si të vërtetë. Për të, është fjala për një largim, për më tepër pa motivacion.
Sipas znj. Qurku, ajo është ende Sekretare e degës demokrate të Sarandës, referuar shkeljeve në statut të atyrë që kanë marrë një vendim ndaj saj.
Znj. Qurku, mbetet një pikëpyetje madhe për ju: ju larguan apo u vetëlarguat?
Jam ende në pritje të shkresës së largimit për të kuptuar arsyen dhe motivacionin.
Kanë kaluar 4 ditë dhe ende nuk kam asnjë njoftim zyrtar nga Partia Demokratike për largimin tim.
Aludohet prej tyre se kam dhënë dorëheqjen por kjo nuk qëndron. S’kam dhënë asnjëherë dorëheqjen dhe s’kam patur asnjë arsye për ta bërë këtë.
Jam dhe kam qënë në detyrë dhe vetë sekretariati organizativ i PD-së, para disa ditësh më ka dërguar e-mailin ku përcaktoheshin detyrat e çdo dege për organizimin e Kuvendit të datës 18-të dhjetor.
Përtej së vërtetës dhe faktit që nëse do të kishin një dorëheqje time do ta kishin publikuar pas kërkesës sime të herëpashershme, le të supozojmë se qëndron ajo që ata thonë. Sekretari i Përgjithshëm duhet të njihte shumë mirë statutin i cili nuk i jep asnjë kompetenc që ai të firmosë shkarkime apo emërime nëpër degë. (Këtu ju rikujtoj edhe njëherë që edhe emerimi i Kryetarit të Degës është nul pasi është firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm).
Sipas statutit të PD-së, kompetencën për emërimin dhe shkarkimin e drejtuesve të degëve (Kryetar/Sekretar Dege) e ka vetëm Kryesia e PD-së. Pra jemi para faktit që mbledhje të Kryesisë së PD-së për shkarkimin e Sekretares së Degës Sarandë nuk ka dhe si rrjedhojë vendimi (nëse ka) është nul.
A patët reagime nga lart pas një fjalëmbatje tuajën në Foltoren e Sarandës, ku me thënë të drejtën ishit shumë lakonike kur shpallët se demokratët e Sarandës i janë bashkuar Kuvendit të datës 11-të, që është në fakt kauza e Berishës?
Jo nuk kam patur asnjë reagim apo komunikim nga zyrtarët të cilët nuk ishin pjesë e Foltores atë ditë. Por siç duket ishin të zënë duke menduar sesi do ta bënin të mundur largimin tim.
Unë në fakt atë ditë nuk kam bërë asnjë gjë e cila mund të cënojë PD-në; thjesht kam thënë një të vërtetë duke qënë se së bashku me kolegë e kolege në PD Sarandë kemi bërë identifikimin e çdo delegati i cili ka firmosur për mbajtjen e Kuvendit në datën 11 dhjetor.
Ju personalisht, keni patur ndonjë dilemë në rreshtimin tuaj në këtë krizë të PD-së?
Nuk kam patur asnjë dilemë në pozicionimin tim. Unë gjithmonë kam qënë aty ku janë edhe demokratët e Sarandës.
Kanë qënë po këta demokratë që i janë përgjigjur thirrjeve të Lulzim Bashës prej 8 vjetësh për protesta e aksione politike, kanë qënë po këta demokratë që i kanë kërkuar që ai të bëj një analizë të thellë të humbjeve të njëpasnjëshme apo të zbresë në bazë e t’i dëgjojë, por kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër.
Po përdor një frazë që e ka përdorur edhe vetë z Basha: “Më gënjeve një herë, turp për ty. Por për herë të dytë, turp për mua që nuk mësova këto gjëra.
Kjo frazë është fiks për çdo veprim të bërë nga Basha dhe që vazhdon të bëjë me demokratët.
E mbrojtët znj. Zhupa nga akuzat se ajo u ka bërë presion demokratëve të Sarandës që mos shkojnë në Foltore. Si janë raportet tuaja tani dhe a keni komunikuar këto ditë me të?
Do ta bëja përsëri.
Të sulmosh një zonjë, një nënë vetëm se mendon ndryshe nga ty është e turpshme dhe unë s’do ta bëja kurrë, për asnjë arsye dhe për asnjë zonjë.
Me znj. Zhupa kam punuar siç kam punuar me të gjitha zonjat dhe zotërinjtë e nderuar që përfaqësojnë PD-në. Kam dhe besoj do të kem marrëdhënie shumë të mira me të sepse nuk na ndan asnjë gjë.
Ne jemi një familje e madhe dhe, edhe pse mendojmë në këto momente ndryshe, për mënyrën sesi duhet të drejtohet PD, kjo nuk do të thotë se jemi “armiq” apo kemi prishur miqësitë.
Partia Demokratike është e demokratëve, sepse drejtuesit, deputetë apo çdo titullar tjetër, ikën e vjen. Demokratët janë e do te jenë aty.
PD-ja e Sarandës ka qenë “shtëpia” juaj për shumë vite. Si ndiheni këto ditë që nuk po futeni më aty?
PD Sarandë është “shtëpia” ime. Mua nuk mund të më ndalojë askush hyrjen në PD Sarandë.
Edhe nëse me hiqet pozicioni përsëri mbetem anëtare e PD-së Sarandë.
Do ishte çmenduri të mendoja se ndokush në PD Sarandë e ka shkuar nëpër mend se mund të më ndalojë mua apo këdo demokrat të hyjë në atë derë.
A shpresoni se do riktheheni sërish në atë shtëpi tuajën?
Unë jam pjesë e saj, jam ende Sekretare e Degës dhe padiskutim që do të jem gjithmonë aty edhe pasi mos ta kem më këtë pozicion. /sarandacity.al/