Nga Vlora, kryeministri Rama paralajmëroi kryebashkiakët e bregdetit se mund ta pësojnë dhe penalisht nëse nuk arrijnë të menaxhojnë siç duhet mjedisin.
“Është e pa tolerueshme që plehrat të grumbullohen në mes të rrugës. Pikat fundore janë qoftë pikat teknologjike të trajtimit të mbetjeve apo inceneratorët që quhet rëndomtë apo qoftë fushat sanitare apo landfillet. Asnjë bashki nuk do të lejohet që për arsye të mos arsyes të apo për justifikime të pajustifikueshme, në vend që t’i çojë mbetjet në pikat fundore të krijojë pika të tjera të paligjshme grumbullimi. Për këtë ligji parashikon sanksione për kryetarët dhe vetë bashkitë”, tha ai.
Kryeministri tha se do të krijohet një fond ekstra për pastrimin e bregdetit dhe gjithashtu do të ngrihet një Task-Forcë në Agjencinë Kombëtare të Bregdetit
“Çdo këshill bashkiak do ta rrëzojë buxhetin e kryetarit të bashkisë në rast se taksa që mblidhet plazheve nga subjektet private nuk do të shkojë për pastrimin e të gjithë zonës”, tha kreu i qeverisë.
Paratë tha kryeministri nuk shkojnë për të garantuar higjienën e të gjithë zonës. Ai shtoi se problem mbetet edhe ndotja që shkaktojnë lokalet dhe bizneset duke shtuar se kjo nuk do të tolerohet më.
“Kazanët e mbetjeve nuk janë për konsumin e bizneseve janë për konsumin individual. Se mjafton një biznes me katër thasë dhe mbaroi kazani”, tha Rama duke shtuar se do të vendoset orar i veçantë për grumbullimin e mbetjeve të bizneseve.
Kryeministri nuk i kurseu kritikat as ndaj Policisë së Shtetit duke thënë se “është e pa tolerueshme që Policia e Shtetit të qëndrojë jashtë kësaj nevoje jetike e kombit tonë për të pasur një shtëpi të përbashkët të pastër”, duke shtuar se “Policia është autoriteti për mbrojtjen e territorit”. /sarandacity.al/