Në urimin tradicional për ndërrimin e viteve, kryeministri Rama pati një ndjesë, për siç tha, të gjitha gjërat që nuk janë bërë siç duhet
“Keni dëgjuar shumë fjalime të gjata nga unë këtë vit, si çdo vit tash sa vjet. Ju kam dalë përpara papushim, në ekran, në kompjuter, në telefon, shpresoj të paktën jo edhe në gjumë. Ju kërkoj ndjesë për kohën që ju kam marrë e ju jam shumë mirënjohës për kohën që më keni dhënë. Më keni dëgjuar, duruar, përshëndetur, mbështetur, inkurajuar, lëvduar, kritikuar po edhe sharë në rrjetet e mia sociale, e sinqerisht ju falenderoj sepse vëmendja juaj është vërtetë nder për mua, por mbi të gjitha më keni besuar këtë vit, për katër vjet të tjera drejtimin e vendit tonë dhe shumë sinqerisht nuk e di si mund t’ju falenderoj për këtë”, tha i pari i qeverisë, duke vijuar sërish me falje:.
“Sot do ju le rehat duke mos folur gjatë, po vetëm duke ju kërkuar falje të madhe për çfarëdo qoftë nuk kam thënë apo nuk e kam bërë dot ashtu si duhet e duke ju siguruar se besimin tuaj e ndjej, e kuptoj, e jetoj çdo ditë, çdo orë, çdo minutë të punës sime si diçka të shenjtë, për të cilën do të bëj gjithnjë gjithçka mundem që ta shpërblej me mish e me shpirt”.
Ai premtoi se në vitin që vjen do përpiqet të jetë më rezultativ, njëherësh duke kërkuar bashkëm e jo përçarje.
“Unë kam gjithmonë e më shumë besim se ne do ta ngjisim Shqipërinë në majën ku e donin të parët tanë dhe ku e meritojnë fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve tanë, me punë, mund e mbi të gjitha durim të madh, pa u ndalur, pa u lodhur, pa u dorëzuar, duke u përpjekur të nxjerrim vazhdimisht mësime nga gabimet tona dhe të bëjmë vazhdimisht më të mirën e vetes tonë. Sa më shumë të dalim nga llogoret ndarëse e përçarëse të së përditshmes, për të dëgjuar më shumë njëri-tjetrin, për t’u afruar më shumë me njëri-tjetrit…”. /sarandacity.al/