Si “konflikt çasti” e ka cilësuar Policia e Sarandës ngjarjen e rëndë në afërsi të Portit, ku një grup personazh sulmuan ashpërsisht me shkopa bejzbolli juristin Mariel Mejdi (Mejdini), qytetar i njohur por ushtrues profesioni në Tiranë.
“Rreth orës 13:05, në lagjen Nr.4, në afërsi të Portit, Sarandë, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit është dëmtuar me sende të fortë, shtetasi M. M., 39 vjeç, banues në Sarandë, i cili është dërguar për ndihmë mjeksore, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Është ngritur grupi hetimor i cili vijion veprimet në vendin e ngjarjes me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Në ambientet e Komisariatit të Policisë Sarandë janë shoqëruar disa persona për tu marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen”, thuhet në komunikatën zyrtare.
Siç ka thënë në një prononcim për Sarandacity, Mejdi nuk është dakort me këtë cilësim, pasi nuk është konfliktuuar me ta por i sulmuar prej tyre. /sarandacity.al/